Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Albi Doka, është zyrtarizuar si lojtari më i ri i ekipit hungarez, Honved. Doka luajti gjysmën e dytë të këtij sezoni si i huazuar në këtë ekip nga skuadra e Gorica, duke bindur dhe duke u shndërruar në një prej lojtarëve kryesorë në ekip.
Ekipi i Honved i ka paguar Goricës plot 750 mijë euro për kartonin e 24-vjeçarit. Doka ka luajtur 13 ndeshje për Honved nga muaji shkurt kur iu bashkua skuadrës hungareze. Aktualisht, kartoni i Dokës vlerësohet në “Transfermarkt” 850 mijë euro, ndërsa vlera e tij më e madhe, ka kapur 1 milionë euro para dy vitesh.
Doka është edhe lojtar i rëndësishëm për Kombëtaren e Shqipërisë dhe është një produkt i Tiranës, duke luajtur fillimisht me të gjitha moshat e më pas edhe me ekipin e parë bardheblu. Nga sezoni i ardhshëm, Doka do të jetë 100% i fokusuar te Honved.