Policia e Tiranës ka njoftuar për masat e marra për derbin Partizani – Tirana që do të luhet ditën e sotme në “Air Albania Stadium”.
Bëhet me dije që nuk do të lejohen grumbullime tifozësh për gjatë perimetrit të impiantit kryeqytetas si dhe do të monitorohen imtësisht lokalet përqark stadiumit.
Si masë parandaluese për përhapjen e infeksionit, COVID-19 policia e Tiranës nuk do të lejojë as para fillimit të ndeshjes, por edhe pas përfundimit të saj grumbullimet e tifozëve të skuadrave respektive.
NJOFTIMI I POLICISË SË TIRANËS:
Policia e Tiranës, masa të shtuara për mbarëvajtjen e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit midis ekipeve Tirana – Partizani, që do zhvillohet më datë 10.07.2020, në orën 20:45, në stadiumin “Air Albania”.
Ndeshja Tirana – Partizani do të zhvillohet pa tifozeri, si masë parandaluese për përhapjen e infeksionit COVID-19.
Nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë janë marrë një sërë masash teknike dhe organizative në një zonë më të gjerë se perimetri i stadiumit, me qëllim sigurimin e rendit dhe të sigurisë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes së futbollit, duke synuar jo vetëm mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv, por dhe moslejimin e grumbullimit të tifozëve, si masë parandaluese për përhapjen e infeksionit COVID -19.
Në kuadër të këtyre masave të parashikuara, informojmë qytetarët e Tiranës se Policia do të monitorojë dhe do të mbajë nën kontroll protokollin e sigurisë anticovid në lokalet dhe ambientet ku do ketë prani të tifozëve që do të ndjekin ndeshjen.
Policia e Tiranës apelon edhe njëherë për respektim me rigorozitet të protokolleve të sigurisë, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.