Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

MAQEDONIA

Vendimi drastik! CAS “injoron” kërkesat e klubit shqiptar, e drejta anon nga Federata

Shkruar nga NEWSPORT
Vendimi drastik! CAS “injoron” kërkesat e klubit shqiptar, e
Federata maqedonase e Futbollit

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë (CAS) ka thënë fjalën e fundit sa i takon çështjes së ngritur nga Federata maqedonase e Futbollit, lidhur me vendimet që u morën pas ndeshjes Gostivar – Rabotnicki, sfidë kjo e zhvilluar në sezonin 2024/25.

Nga verdikti përfundimtar, mësohet se Federata ka dalë fituese e çështjes përballë ekipit shqiptar, ndërsa janë lënë në fuqi dhe vendimet e marra nga ky organ kompetent, duke kthyer mbrapsht pretendimet e paraqitura nga Gostivari dhe Enes Usta.

Asokohe, kjo skuadër u gjobit në masën e 7500 eurove si dhe zbritje pikësh në kampionat, me 9 të tilla. Vendime të cilat u kontestuan nga Gostivari së bashku me Ustën, të cilët u tërhoqën nga kampionati dhe që prej asaj dite nuk u shfaqën më aktivë.

NJOFTIMI: 

Federata e Futbollit e Maqedonisë (FFM) informon se Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë i ka hedhur poshtë plotësisht ankesat e paraqitura nga KF Gostivari dhe Enes Usta dhe ka konfirmuar vendimet e marra nga organet kompetente të FFM-së.

Rasti ka të bëjë me sanksionet e shqiptuara pas ndeshjes KF Gostivari – KF Rabotniçki (java e 29-të, 1 LPFM, sezoni garues 2024/2025), për shkak të mangësive organizative, pranisë së personave të paautorizuar në ambientet zyrtare, si dhe për shkak të largimit të ekipit të KF Gostivarit nga fusha. Në kuadër të procedurave para organeve të FFM-së, klubit iu shqiptuan sanksione përkatëse disiplinore, përfshirë edhe zbritjen e pikëve, ndërsa Enes Usta u sanksionua për shkak të sjelljes së tij dhe nxitjes së ngjarjeve që çuan në ndërprerjen e ndeshjes.

Pas shqyrtimit të ankesave, CAS në Lozanë arriti në përfundimin se vendimet e organeve disiplinore dhe të ankesave të FFM-së janë marrë në përputhje me rregulloret në fuqi, ndërsa sanksionet e shqiptuara janë të përshtatshme dhe proporcionale me shkeljet e konstatuara. Në këtë mënyrë, ankesat e KF Gostivarit dhe Enes Ustës u refuzuan, ndërsa vendimet e kundërshtuara të FFM-së, u konfirmuan plotësisht.

Vendimi i CAS-it ka rëndësi të veçantë për FFM-në, pasi ky është rasti i parë në të cilin Federata i ka mbrojtur me sukses vendimet e saj para Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv në Lozanë. Kjo përbën gjithashtu konfirmim se vendimet e organeve kompetente të FFM-së bazohen në rregulloret dhe parimet e së drejtës së futbollit dhe i nënshtrohen verifikimit të pavarur juridik ndërkombëtar.

FFM-ja ka qenë edhe më parë objekt i procedurave para CAS-it. Në vitin 2011, presidenti aktual i FFM-së, Masar Omeragiç, e fitoi mosmarrëveshjen para Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv kundër udhëheqjes së atëhershme të Federatës, pasi më parë ishte pezulluar përgjithmonë nga futbolli dhe, si rrjedhojë, ishte penguar të kandidonte për president të FFM-së.

Para CAS-it u mor edhe një vendim kundër Federatës në mosmarrëveshjen me ish-trajnerin e kombëtares A, Mirsad Jonuz, lidhur me detyrimet e papaguara nga kontrata e tij si trajner.

Vendimi i sotëm i CAS-it në rastin e KF Gostivarit dhe Enes Ustës përbën një konfirmim të rëndësishëm të parimit se rregulloret e futbollit duhet të zbatohen njësoj për të gjithë dhe se respektimi i tyre është bazë për mbrojtjen e integritetit të garës.

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë është një institucion i pavarur ndërkombëtar i specializuar për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në sport, veçanërisht të ankesave kundër vendimeve të federatave dhe organizatave sportive.

Vendimi i marrë nga CAS-i në këtë rast është përfundimtar. CAS përfaqëson organin më të lartë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të tilla sportive dhe kundër vendimit në këtë rast nuk ekziston e drejta e ankesës.

Federata e Futbollit e Maqedonisë edhe në të ardhmen do të vazhdojë të veprojë në mënyrë konsekuente në përputhje me rregulloret e saj, përcaktimet statutore dhe parimet e UEFA-s dhe FIFA-s, me qëllimin e vetëm të mbrojtjes së integritetit të garës, sundimit të ligjit në futboll dhe trajtimit të barabartë të të gjithë pjesëmarrësve në garat e futbollit.

Poll

Lexo gjithashtu