Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

MAQEDONIA

Ekipi shqiptar vendosi “nderin në vend” në fushën “armike”, trajneri në “qiellin e shtatë”: Fitore e merituar, kemi potencial të madh

Shkruar nga NEWSPORT
Ekipi shqiptar vendosi “nderin në vend” në fushën
Vardar - Shkëndija e Tetovës

Shkëndija e Tetovës e ka nisur në mënyrë perfekte këtë edicion të ri në kampionatin e Maqedonisë së Veriut. Pas fitores 3 – 0 kundër FK Skopje në javën e parë, skuadra nga Tetova mposhti 2 – 0 në fushën rivale ekipin e “përbetuar” kundër shqiptarëve, Vardarin. Pas ndeshjes, foli për mediat trajneri i Shkëndijës, Artim Pollozhani.

Përshtypjet pas fitores?

Unë mendoj që totalisht fitore e merituar edhe kjo është meritë e çunave, sepse kanë bërë një ndeshje jashtëzakonisht të mirë. Nuk ishte e mirë pjesa e parë, fillimi i ndeshjes, por që është normale me këto kushte që ne kemi luajtur sot, është jashtëzakonisht vështirë të futesh në lojë.

Dhe duke parasysh që ne vinim nga një ndeshje e vështirë në Skoci, përveç pjesës së parë ose 20 minutave të para të ndeshjes, unë mendoj se gjithçka foli për ne. Edhe kështu që merita patjetër që u takon djemve sepse kanë bërë një ndeshje jashtëzakonisht të mire.

Rastet e shpërdoruara?

Ajo që unë kam thënë gjithmonë dhe po e përsëris, nuk ka asnjë lloj problemi që humben rastet, sepse do vijë një ditë që nuk kanë ku shkojnë. Nuk futet ai rast që është 100%, po futet një tjetër, kështu që ajo pozitivja është që ne krijojmë. Dhe unë them se nuk do të lëvizim prej kësaj, sepse normalisht nëse ti krijon gjithë ato raste, patjetër që do të fitosh.

Tani diferenca e fitores mund të jetë edhe më e ulët ose ndonjëherë më e madhe, por unë jam jashtëzakonisht i kënaqur, sepse në momentin që krijon raste patjetër që një ditë do vijë finalizimi, duke ardhur duke u shtuar me ndeshjet, vjen ana psikologjike, kthehet besimi edhe unë mendoj që nuk do të ketë asnjë lloj problemi.

Unë jam jashtëzakonisht i kënaqur prej Ndzengues, sepse ai ka kërkuar atë thellësinë edhe ka dalë ballë-ballë me portierin që është e diçka që ne e kërkojmë gjatë gjithë kohës. Sot asistoi dhe nga ana psikologjike ai rritet edhe unë mendoj që do na duhet pastaj për vazhdimësinë.

Nisja perfekte në kampionat?

Mendoj që ky ekip ka jashtëzakonisht potencial të mirë. Tani ajo që unë nuk jam i kënaqur janë këto pauzat gjatë ndeshjeve ose këto minuta të caktuar që për shembull ne nuk jemi mirë.

Por që patjetër që ka edhe një arsye, sepse normal ekipi është kthyer të premten në mëngjes nga Skocia edhe mbase mund të jetë ajo arsye, por që këto pauzat që ne nuk jemi në element, këto nuk i dua praktikisht. Sepse nëse do të ketë ndonjë kundërshtar pak më me cilësi mund të të dënojë edhe pastaj bëhet e vështirë.

Patjetër që pjesa e dytë ishte fantastike, ishte super ndeshje. Unë mendoj që atë që ne nuk bënim mirë në pjesën e parë ishte se duhet të kërkohej thellësia, por që normalisht edhe lojtarët nuk ishin të tillë që ne të kërkojmë thellësinë. Por e bëmë këtë në pjesën e dytë edhe praktikisht aty ishte i gjithë çelësi, sepse kundërshtari nuk e duronte thellësinë.

Edhe kjo u pa edhe ditën e sotme që dy gola shënuam dhe mund të shënoheshin edhe disa gola tjerë. Por patjetër që ishte derbi, patjetër që kishte nga ana psikologjike vështirësi, patjetër që luanim me një kundërshtar që ka qenë kampion në vitin e kaluar, por unë mendoj që është meritë plotësisht e çunave sepse i bëjnë me përpikmëri ose i zbatojnë me përpikmëri detyrat që ne i japim para ndeshjes.

Ndeshja e kthimit kundër Hibernian?

Nga aspekti psikologjik jemi ok. Duhet të rikuperojmë energjitë sepse është e pamundur gati e pamundur që të bësh dy ndeshje brenda kaq ditëve.

Dhe unë nuk e kuptoj domethënë arsyen pse kjo ndeshje u bë në orën 5, duke pasur një impiant të tillë, nuk e mora vesh me thënë të drejtën pse u bë në këtë orar. Patjetër që do të tentojmë që të kalojmë raundin, por që niveli i Kupave të Evropës nuk është i njëjtë me kampionatin.

Kështu që na duhet një gol për të barazuar fillimisht, pastaj për të tentuar që edhe ta kalojmë raundin tjetër patjetër. Por që duhet të kemi kujdes sepse kemi disa lojtarë që kanë shqetësime, disa prej tyre sot u munduam që t’i kursejmë energjitë e tyre, por që kjo është me patjetër sepse kompeticionet evropiane nuk të lënë për t’u relaksuar.   

Poll

Lexo gjithashtu