Renato Malota mund të transferohet te Kamza. Ky ka qenë lajmi që ka qarkulluar ditët e fundit teksa bëhej me dije që klubi kryeqytetas kishte shfaqur interes për qendërmbrojtësin.
Por, një lajm të tillë e hedh poshtë drejtori sportiv i Vllaznisë, Engin Firat i cili ka deklaruar për faqen zyrtare të klubit se nuk ka pasur interes dhe asnjë lojtar i shkodranëve nuk do të largohet nga kuqeblutë.
Gjithashtu ai tregon se menaxherë të ndryshëm kanë kontaktuar atë teksa i kanë ofruar futbollistë nga klubi i Kamzës.
“Lajmet për një ofertë për futbollisti Renato Malota nga Klubi i Kamzës nuk janë të vërteta. Gjithsesi, unë nuk mendoj se ndonjë nga lojtarët tanë dëshiron të largohet nga Vllaznia sepse asnjë nuk na e ka shprehur një dëshirë të tillë.
Disa agjentë të lojtarëve më kane thirrur duke më ofruar lojtarë nga Klubi i Kamzës, të cilët dëshirojnë të vijne tek Vllaznia. Por për shkak të arsyeve etike nuk kam treguar interes sepse siç dihet, ne do të luajmë në 23 janar në Kupë kundër Kamzës”, ka deklaruar Firat.