Artur Magani është kthyer në kryeqytet teksa ka nisur të stërvitet me skuadrën e Partizanit. Sulmuesi i njohur peqinas është vënë nën urdhrat e trajnerit Skënder Gega dhe ka nisur menjëherë nga puna për Kupat e Europës. Por, në mënyrë krejt të pakuptimtë ka reaguar klubi i Feronikelit.
Drejtuesit e klubit kosovar njoftojnë që Magani nuk do të transferohet te Partizani dhe nuk është aspak e vërtetë që ai është në kryeqytet. Kjo bie poshtë, pasi dje, lojtari ka qenë i pranishëm duke u stërvitur me 15-herë kampionët e Shqipërisë.
Reagimi i klubit të Feronikelit:
Artur Magani vazhdon të mbetet pjesë e Feronikelit
Ditëve të fundit nëpër media ka qarkulluar informacioni spekulativ se superlojtari dhe një ndër golashënuesit më të mirë të Superligës në sezonin e kaluar, Artur Magani, ka ikur nga Feronikeli pas prezantimit në klub pak javë më parë. Andaj, për hir të korrektësisë ndaj tifozëve dhe dashamirësve të futbollit, Feronikeli njofton që Magani përfundimisht vazhdon të mbetet pjesë e klubit.
Presidenti i klubit, Naser Ramaj ka biseduar me të dhe në parim është konkretizuar marrëveshja, ndërkaq nënshkrimi i kontratës do të bëhet shumë shpejt.
Ai i është bashkuar klubit tonë për të forcuar edhe më shumë lojën në luftën e padiskutueshme për titull.