Luftëtari ende nuk është gati që ndeshjet si pritës t’i zhvillojë në stadiumin e tij, pasi i është nënshtruar rikonstruksionit total. Ky impiant pritet që të jetë gati në muajin e ardhshëm, pasi do të përfundojnë të gjitha punimet.
Takimi i parë i luajtur në “shtëpi” është ai ndaj Laçit, i cili u zhvillua në “Adush Muçaj” në Ballsh, pasi kurbinasit nuk pranuan që të luanin në fushën e tyre. Kështu, të detyruar gjirokastritët edhe ndaj Vllaznisë do të luajnë si pritës.
Por, duke parë që stadiumet e Vlorës, Fierit dhe Ballshit janë të zënë të mërkurën, gjirokastritët janë vënë në kërkim të një fushe për ndeshjen. Ideja e fundit është stadiumi “Andon Lapa” në Sarandë, i cili plotëson kushtet për të luajtur një ndeshje të Superiores. Pritet që të jepet “ok” përfundimtar nga FSHF që ky takim të luhet në Sarandë.