Gjirokastritët kanë nisur nga puna dhe nuk po bëjnë bujë në merkato. Lëvizjet po bëhen të menduara, ndërsa po afrohen lojtarë të rinj në moshë, me kontrata afatgjata dhe premtues për të ardhmen. Ndër të tjera, klubi bluzi ka dhe një qëllim kryesor, ndërtimin e stadiumit.
Nga sa mësohet, sot do të nisin punimet në stadiumin “Gjirokastra”, ndërsa përfundimi i tyre mund të bëhet në mesin e kampionatit. Gjatë kësaj periudhe kohore Luftëtari pritet që ndeshjet t’i luajë në Ballsh.
Por, gjatë orëve të fundit shumë kritika janë adresuar ndaj klubit bluzi, të cilat kanë marr dhe përgjigjen përfundimtare. Drejtuesit kanë reaguar nëpërmjet faqes së tyre në “facebook”, duke thënë se objektivi primar është që të ndërtojnë skuadër për të qëndruar në kategori dhe për të ndërtuar stadiumin.
Mes fjalëve të tjera, ata i kanë kujtuar publikut se drejtuesit aktualë ndërhynë që Luftëtari të mos bjerë në Kategorinë e Dytë një vit më parë, ndërsa sot është në Superiore.