Presidenti Bekim Halilaj i Luftëtarit e ka paraljmëruar më herët se ndaj klubit që ai drejton janë bërë shumë padrejtësi, kryesisht nga gjykimi. Pas atij 11 metërshi të dhënë për Bylis, kontestuar fuqishëm nga stafi dhe tifozët gjirokastrit, numri një i klubit kërcënon edhe me tërheqje nga gara.
Halilaj tregon se javët e fundit, Luftëtari është bërë subjekt i vendimeve të padrejta arbitrale. Ai shton se arbitrat drejtohen nga tjetërkush, me qëllime të caktuara dhe se klubi i Luftëtarit nuk do të bëhet palë me ta. Sipas tij, ky grup që kërkon të dëmtojë gjirokastritët, iu ka mohuar 5 pikë në këto tetë javë kampionat. Presidenti Bekim Halilaj thekson në fund, se stafi dhe drejtuesit do të shohin për të marrë një vendim që mund të jetë edhe ekstrem. Edhe më herët, krerët e klubit të Luftëtarit janë ankuar për gjykimin, duke kërcënuar se nëse situata nuk ndryshon ata do të shohin mundësi të tjera. A është ky një kërcënim për t’u tërhequr nga gara? Mbetet të shihet.