Skënderbeu do të ketë një tjetër ndeshje të vështirë në kampionat. Pas barazimit ndaj Tiranës, korçarët presin në shtëpi Teutën dhe do të kërkojnë me çdo kusht 3 pikët. Një mungesë e sigurt për trajnerin Daja do të jetë mesfushori Agon Elezi për shkak kartonash. Në një prononcim për “RTSH Sport”, Elezi ka analizuar ecurinë tij pozitive në kampionat, por edhe skuadrën e Skënderbeut.
“Kemi kryer përgatitje shumë të forta dhe po bëjmë ndeshje shumë të bukura në kampionat. Po krijojmë shumë raste, por na ka munguar finalizmi para portës. Besoj se me kalimin e javëve golat do të vijnë gjithashtu edhe rezultatet pozitive”.
Sfida ndaj Teutës? “I marrim ndeshjet një e nga një. E kemi harruar sfidën ndaj Tiranës ku morëm një rezultat pozitiv, por edhe mund të kishim dal me fitore. Kemi një ndeshje të vështirë ndaj Teutës që ka një ekip mjaft cilësor, por mendoj se pikët ngelen në Korçë.
Kur fliten fjalë pozitive në media për mua normalisht që më vjen mirë pasi kam punuar shumë për të arritur deri këtu, por duhet të punoj akoma më shumë. Dua të falenderoj profesor Dajën për besimin që më ka dhënë dhe shpresoj t’ia shpërblej besimin e dhënë. Nuk jam ende I kënaqur me veten time e për këtë duhet të punoj akoma më fortë. Idhull kam vetveten, por marrë shembuj nga Pjanic, Kroos apo edhe Xavi Alonso, I ndjek gjithmoë dhe mundohem t’I kopjoj gjithmonë.
Flas shumë mirë shqip pasi në shtëpi kam xhaxhai dhe hallën që janë mësues të gjuhës shqipe dhe jemi familje intelektualësh në Shkup, jam 100% shqiptar.
Kam firmosur një kontratë 3-vjeçare me Skënderbeun, por shpresoj të mos ngelem deri në fund këtu. Shpresoj të kaloj në një kampionat në Europë pasi kjo është dëshira e çdo lojtari të ri e për këtë gjë po punojmë sëbashku me klubin”, u shpreh Elezi.