Ish-kapiteni i Shqipërisë, i cili ende nuk ka bërë shkelmimin zyrtar të topit të fundit me fanellën kuqezi, ka folur për “BeinSport”, ku ka treguar për të ardhmen e tij dhe se ku do të mbyllë karrierën.
Cana aktualisht po kryen përgatitjet për kursin e trajnerëve UEFA B në Shqipëri, ndërsa pritet që të kthehet shumë shpejt në futbollin e luajtur, sepse ka vuajtur dhe nga dëmtimet fizike gjatë verës. Për të gjithë ai zbulon se Marseja është një nga dashuritë e tij më të mëdha, teksa edhe tifozët e kësaj skuadre e duan, pasi e kanë shpallur lojtarin më të mirë të të gjitha kohërave.
“Olimpiku i Marsejës është një nga dashuritë e mia më të mëdha. Më merr shpesh malli për atë qytet dhe kthehem vazhdimisht pasi aty kam një shtëpi. Marseja vijon të mbetet klubi numër 1 në zemrën time. Dua të falënderoj pa fund vlerësimet që janë bërë për mua nga drejtuesit e skuadrës. Siç e kam thënë dhe herë të tjera Marseja ka një staf të mrekullueshëm, mbi të gjitha njerëz me nivel të lartë. Mbase një ditë do të jem pjesë e skuadrës sërish”, tha Cana.