Albi Alla dhe Simon Rrumbullaku kanë folur për menaxherin shqiptar, Drini Çaushi. Dy lojtarët e Kukësit kanë deklaruar se Çaushi nuk është menaxher i tyre. Përkundrazi ata janë shprehur se ai ka qenë thjesht një përkthyes në kohën kur të dy futbollistët u transferuan te verilindorët.
Duke qenë se Rrumbullaku dhe Alla kanë jetuar jashtë vendit për ta ishte e vështirë të kuptonin termat ligjorë, ndaj për këtë kanë deklaruar për Panorama Sport: “Duam të saktësojmë se Drini Çaushi nuk është menaxheri ynë dhe një gjë e tillë mund të verifikohet edhe nëpërmjet dokumentacionit përkatës. Është e vërtetë që ai është përfshirë dhe na ka ndihmuar në rolin e përkthyesit për të firmosur kontratat, por jo në cilësinë e menaxherit.
E saktësojmë, ai ka qenë thjesht përkthyes. Prej vitesh ne kemi jetuar jashtë vendit dhe duke qenë se kontrata kishte terma ligjorë dhe financiarë brenda saj, kishim nevojën e një përkthyesi dhe këtë rol e ka kryer Çaushi”, kanë përfunduar lojtarët e Kukësit.