Edvan Bakaj, Tefik Osmani, Erando Karabeci, Mario Beshiraj, Eldis Kraja, Mario Morina, Edon Hasani dhe Ismael Dunga nuk do të jenë pjesë e Tiranës për sezonin e ri futbollistik. Newsport.al njoftoi më herët se drejtuesit bardheblu kanë hartuar projektin e sezonit të ri, e pikërisht futbollistët e lartpërmendur ishin jashtë. Ata s’kanë udhëtuar me skuadrën në Pogradec e përpos kësaj, s’janë më pjesë e grupit për njoftimet e ndryshme brenda familjes bardheblu.
Sot me ekipin kanë udhëtuar disa lojtarë nga Akademia e Tiranës. Sakaq, në zyrat e klubit ka pasur rinovime me futbollistë të rëndësishëm që janë pjesë e projektit bardheblu për të ardhmen, ndërsa priten njoftimet zyrtare për të mësuar emrat e tyre. Siç e ka theksuar presidenca e Tiranës, objektivi në Kupat e Europës është kalimi i sa më shumë tureve, pse jo për të shkruar historinë ashtu sikurse bënte Skënderbeu vite më parë. /Newsport.al/