Korabi do të presë të shtunën Flamurtarin në kuadër të javës së 36-të të Superiores, në stadiumin “Selman Stërmasi”. Kjo ndeshje është mjaft e rëndësishme për vlonjatët që kërkojnë të mbijetojnë mes më të mirave.
Për këtë takim ka pasur mjaft aludime për sa i përket ekipit dibran, ku pretendohet se mund të ketë tolerime ose anasjellas. Për këtë, administratori i Korabit, Femi Mëziu, ka dhënë një prononcim për neësport.al teksa ka deklaruar:
“Ne do ta mbyllim këtë sezon me dinjitet pa premio apo shpërblime nga të tretët. Ne nuk na intereson se kë kemi përballë, ekipin kampion apo kandidatë për të rënë një kategori më poshtë. Ne jemi të bindur se çdo futbollist do të japë maksimumin në fushën e blertë për të nderuar fanelën dhe qytetin që përfaqësojmë.
Dua të theksoj se situata në të cilën ndodhet tashmë kampionati ynë, ka ardhur si rrjedhojë e aleancave. Pasi i mbaruan aleancat e gabuara me njëra-tjetrën, tashmë njëra nga skuadrat është e destinuar për të paguar me rënie nga kategoria”, ka përfunduar shkurt Femi Mëziu.