Skuadra e Partizanit ka zhvilluar seancën e radhës stërvitore në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen ndaj Teutës. Sot, trajneri Klevis Dalipi ka pasur nën urdhra të gjithë lojtarët, pasi me grupin janë bashkuar edhe Batha me Asanin që stërviteshin të diferencuar për shkak të disa problemeve fizike.
Gjithashtu për këtë sfidë është i gatshëm edhe Gerhard Progni që mungoi ndaj Lushnjes për shkak kartonash. Kësisoj “hallet” për Dalipin shtohen për shkak të konkurrencës së madhe që ka në skuadër dhe secili prej lojtarëve dëshiron një vend titullari.
Njoftimi i klubit të Partizanit:
Skuadra ka vijuar përgatitjet për takimin e radhës që do të luaj në shtëpi ndaj Teutës për Javën e 32-të të Kategorisë Superiore. Seanca e sotme është zhvilluar në orën 10:30 si zakonisht në ambjentet e “Qendrës Stërvitore të Ekipeve Kombetare” në Kamëz . Grupi ka qenë i plotë pasi me ekipin kanë zhvilluar normalisht stërvitjen e plotë edhe kapiteni Idriz Batha dhe Jasir Asani. Për përballjen ndaj Teutës traineri Dalipi do të ketë në dispozicion edhe Gerhard Prognin, i cili rikthehet pas skualifikimit.
Kujtojmë që ndeshja Partizani – Teuta do të luhet ditën e shtunë në orën 19:00 në stadiumin “Selman Stërmasi” pa praninë e publikut, si pasojë e dënimit nga Komisioni i Disiplinës.