Kukësi do të luajë të enjten ndeshjen e parë të raundit të dytë të Europa League, ku do të përballet me gjigantët e Austrisë së Vienës. Klubi ka mundësuar një çarter për stafin, por ka vende edhe për tifozët. Ndaj, ata janë shprehur në faqen e tyre në “facebook” se tifozët mund të prenotojnë vendin e tyre për të mbështetur skuadrën nga afër.
Normalisht, një biletë në çarter kushton, pasi është vënë në dispozicion të skuadrës dhe pjesëtarëve që e përbëjnë atë, ndërsa një vend në të duhet paguar. Është llogaritur që një vend në çarter vërtitet në shumën e 600-700 euro për person, pa përfshirë hotelin, por klubi kuksian me anë të zëdhënësit Jonuz Hallaçi sqaron situatën.
I kontaktuar nga newsport.al, Hallaçi shprehet se tifozët kanë gjithçka të përfshirë në këtë udhëtim. Duke nisur nga fluturimi, hoteli, ushqimi dhe bileta në stadium kushtojnë sa gjysma e kostos së prenotimit.
“Normalisht që në një stadium tifozët nuk mund të hyjnë falas, aq më tepër në një çarter, i cili ka kostot e veta. Për këtë takim ne kemi vendosur në dispozicion të skuadrës dhe stafit një çarter, por duke parë që afro 120 vende janë bosh, menduam që t’iu bënim thirrje tifozëve. Shuma e përcaktuar nga klubi është 400 euro dhe përfshin udhëtimin, hotelin së bashku me ushqimin dhe biletën e stadiumit. Normalisht që një shumë e tillë nuk mund të përballohet nga tifozët e thjeshtë, por nga biznesmenë dhe njerëz të ngritur, të cilët kanë bërë prenotimet e tyre. Ndaj, nuk duam keqkuptime me tifozët, pasi po të bëjmë llogaritë, shuma reale shkon më tepër se kaq. Interesimi deri më sot është i lartë, ndaj besojmë se do të kemi tifozë për të mbështetur skuadrën”.