FIFA nuk ka lënë jashtë vëmendjes as ndeshjet miqësore. Ajo ka vendosur sanksione mbi FSHF-në dhe Shqipërinë, fakt që e ka publikuar pak minuta më parë. Bëhet fjalë për ndeshjen miqësore të luajtur mes Luksemburgut dhe Shqipërisë, ku në minutën e 45-të është aktivizuar Ergys Kaçe, lojtar që nuk i lejohej që të aktivizohej në këtë ndeshje.
Për këtë arsye FIFA ka sanksionuar Shqipërinë me 7500 Franga zvicerane dhe humbjen e ndeshjes në tavolinë me rezultatin 3-0.
“Federata Shqiptare e Futbollit është dënuar sepse ka aktivizuar një lojtar që nuk lejohej të luante në ndeshjet miqësore ndërkombëtare. Ai është aktivizuar në takimin mes Luksemburgut dhe Shqipërisë më 29 mars 2016”.
“Ndeshja deklarohet e humbur me rezultatin 3-0 në favor të Luksemburg dhe FSHF-ja do të gjobitet me 7500 Franga zvicerane, sepse Komisioni i Disiplinës në FIFA konsideron përgjegjës për shkeljen e Kodit Disiplinor të FIFA-s”.
“Sanksioni lidhet me aktivizimin e Ergys Kaçes, i cili e kishte të ndaluar që të luante në këtë takim, pasi në ndeshjen e mëparshme miqësore mes Austrisë dhe Shqipërisë më 26 mars 2016 ai u ndëshkua me karton të kuq”, bën me dije FIFA raporton “Newsport.al”.