Ernest Gjoka ka dhënë një intervistë për mikrofonin e Supersport disa orë para përballjes me Partizanin. Trajneri i Kukësit deklaroi:
“Është një ndeshje e radhës, por me një konkurent direkt siç është Partizani. Me të drejtë mund të quhet finale, por mos harroni se kampionati është i gjatë. Unë që kur kam ardhur te Kukësi kam ndjekur të njejtën metodë, të grumbullohemi 72 orë para sepse kjo na jep qetësi.
Sigurisht që do të luajmë me dy sulmues, pasi Kukësi e ka potencialin e tillë. Kemi sulmuesit më të mirë, pse jo mos të luajmë me dy sulmues. I kam të gjithë të gatshëm, përveç Rrumbullakut që është i dëmtuar.
Në ndeshjet e forta është e rëndësishme mos të gabosh, ndaj jemi përgatitur mirë psikologjikisht. Në qoftë se doni të dini gjithçka mua më befason presidenti i Kukësit i cili jeton nga mëngjesi deri në darkë me ekipin. Dje kemi biseduar me të dhe s’kemi folur për premio.
Që do të isha një nga kandidatët kryesorë për të fituar titullin, këtë e kam thënë që në fillimin tim te Kukësi. Por, që do të ishim kaq lart nuk e kisha menduar.
Sigurisht Starova është një nga trajnerët e vjetër të futbollit shqiptar. Unë e kam për krenari që flas për të, pasi ne e kemi pasur si idhull në fillimet tona të trajningut. Unë kam respektin maksimal për Starovën, por sot dua të fitoj unë.
Skuadra e Partizanit është përt t’u vlerësuar dhe unë kam respekt për të. Ka individë të veçantë, por unë mendoj se skuadra të çon përpara.
Ne të tre skuadrat do luftojmë për titullin. Nëse sot barazojmë, korçarët do futen akoma më shumë në garë. Vazhdoj të këmbëngul që të tre skuadrat do të luftojnë deri në fund të kampionatit.
Tifozët nuk do të na emocionojnë, por përkundrazi do të na motivojnë. Skuadra jonë ka lojtarë me përvojë dhe personalitet”, ka përfunduar ai.
Kujtojmë që ndeshja Partizani – Kukësi do të zhvillohet sot në orën 19:00, në stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet.