Partizani dhe Tirana janë dy nga katër skuadrat që do të luajnë në Kupat e Europës. Të kuqtë përfitojnë një vend në Europë falë pozicionimit në vendin e dytë në tabelën e klasifikimit. Ndërkohë bardheblutë arritën të kualifikohen për në Europa League pasi fituan Kupën e Shqipërisë.
Burime për newsport.al bëjnë me dije që klubi i Partizanit ka kërkuar që ndeshjet e Europës t’i luajë sërish në “Selman Stërmasi”. Ende nuk ka një përgjigje zyrtare pasi kjo kërkesë është bërë para se Tirana të kualifikohej për në Europë.
Nëse shorti rezulton që dy skuadrat kryeqytetase do të jenë pritëse në ndeshjen e parë, atëherë me gjasë njëri takim do të luhet të enjten, ndërsa tjetri do të shtyhet të martën, në mënyrë që të dy ekipet të luajnë në impiantin e vetëm të Tiranës. Ky është një precedent që ka ndodhur edhe më parë me shumë skuadra europiane. Në të kundërt nëse nuk do të ketë një marrëveshje për “Selman Stërmasin”, atëherë të kuqtë do t’i zhvillojnë ndeshjet e tyre në stadiumin “Elbasan Arena”.