Lin Shllaku, ish kapiteni i Partizanit është ndarë sot nga jeta. Klubi i kuq nëpërmjet një njoftimi i shpreh ngushëllimet familjes së tij dhe falënderon Shllakun për kontributin e dhënë për fanellën e kuqe. 78-vjeccari vuante nga një sëmundje e rëndë dhe kishte disa ditë i shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”.
“Është ndarë sot nga jeta në moshën 78-të vjeçare ish futbollisti i njohur i viteve 60-të Lin Shllaku. Ish kapiteni i Partizanit dhe ekipit tonë përfaqësues, i cili vuante nga një sëmundje në mushkëri u nda sot nga jeta në ambjentet e spitalit “Shefqet Ndroqi” ku edhe qëndronte i shtruar prej disa ditësh.
Klubi i Futbollit Partizani i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të afërmve për humbjen e njeriut të tyre më të dashur.
Lin Shllaku i lindur në Shkodër ka qenë një prej lojtarëve më të spikatur të futbollit shqiptar me një karrierë të pasur, ku në 15-të kampionate Kombëtare ai koleksionoj 7 tituj kampionë ,7 Kupa Republike, Medalje argjendi në turnet ndërkombëtar Lajpcig e Hanoi, fitues i një 1 Kupe Ballkanike me klube dhe 7 vjet kapiten i Partizanit dhe i Ekipit Kombëtar ku me ngjyrat kuqezi ka luajtur edhe 15 ndeshje. Në 70 vjetorin e themelimit Klubi i Futbollit Partizani i akordoi Lin Shllakut edhe titullin “Mjeshtër i Madh””, shkruhej në njoftimin klubit në facebook.