Flamurtari do të zhvillojë një fazë përgatitore në Antalia të Turqisë. Burime për newsport.al bëjnë me dije që skuadra vlonjate do të udhëtojë drejt Turqisë në datën 7 janar, në të njëjtën ditë me bardheblutë e Tiranës. Nuk dihet akoma nëse do të udhëtojnë në të njëjtin avion me kryeqytetasit, por më kryesorja është që të dy ekipet do të zhvillojnë një mini-fazë dinjitoze për të rivalizuar më të mirët në dy fazat e ardhshme.
Moti i ftohtë në shumë vende të Europës, ka bërë që skuadrat e Superiores të zgjedhin Antalian, si një vend me klimë të ngrohtë, ku kushtet për stërvitje janë ideale. Nuk janë pak, por 6 ekipe të Superiores që do të jenë në Turqi. Luftëtari ka mbërritur dje, ndërsa në vijim do të udhëtojnë Partizani, Kukësi, Skënderbeu, Tirana dhe Flamurtari.