Shqipëria ka nisur përgatitjet për sfidën me Maqedoninë që do të luhet ditën e hënë në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër. Seanca ishte më shumë e karakterit atletik, me futbollistët që bënë disa vrapime rreth fushës. Por ajo që ra në sy në këtë seancë stërvitore ishte mungesa e Rei Manajt. Ai ishte grumbulluar për ndeshjen me Marokun, por mosaktivizimi i tij në takimin e djeshëm duket se e ka tensionuar situatën mes tij dhe trajnerit. Në këtë mënyrë tekniku italian e ka këshilluar të largohet drejt Greqisë për t’iu bashkuar ekipit Shpresa, e cila do të luajë ditën e premte në 3 shtator ndeshjen e rëndësishme me Greqinë për eliminatoret e europianit 2017. De Biazi ka deklaruar që nuk do ta ketë mirë me asnjë nga lojtarët që reagojnë jo mirë ndaj stolit. Kështu që pritet të ndiqet me interes nëse Manaj do të rikthehet në Shqipëri për ndeshjen me Maqedoninë.
© 2024 News Sport - Dev by Aplikacione.com.