Armando Sadiku u dëmtua një javë më parë në kampionatin zviceran, duke vënë në alarm jo vetëm ekipin e tij, por edhe kombëtaren kuqezi. Elbasanasi flet disa ditë përpara grumbullimit me kuqezinjtë, ndërsa tregon formën që ka pasur paraditen e sotme para ndeshjes së Europa League kundër Osmanlispor.
“E provova sot në stërvitje. Kishim një stërvitje të vogël. Provova të godas, të sprintoj edhe e ndjeva pak goditjen që kam marrë në gju një javë më parë. Fola me trajnerin që më mirë të mos të rrezikoj. Deri të hënën që do të jem me ekipin kombëtar, do të jem në formën 100%”.
Më tej ai foli për dy ndeshjet e radhës për eliminatoret e botërorit, ku u shpreh: “Ndeshjet merren një e nga një. Por, unë do të thosha që më e rëndësishme është kjo me Lihtenshtain. Na duhen vetëm tre pikët. Nuk duhet të barazojë apo larg qoftë të humbasim. Me Spanjën nuk ka nevojë që të karikohemi, këmbët shkojnë vet”, përfundoi golashënuesi kuqezi, i cili i nisi këto eliminatore me gol, pasi i shënoi Maqedonisë.