Presidenti i Federatës së Futbollit Armando Duka është rikthyer të flasë për çështjet më të nxehta në futbollin shqiptar, titullin e dyshuar të Partizanit dhe të tjera tema të nxehta. Kreu i futbollit në vënd në një intervistë të dhënë për Top Channel, ka thënë pothuajse gjithçka duke mos harruar të sulmoj deputetin Erion Braçe.
“Nga pikëpamja juridike ne nuk kemi se çfarë të bëjmë më tepër, sepse po të lexosh statutin e FSHF-së, shkalla më e lartë e gjykimit është CAS-i. Ai komision ka të drejtë ta përjashtojë edhe nga kampionati shqiptar, por edhe fare nga futbolli, megjithatë ka marrë atë vendim që ka marrë. Pavarësisht se ndonjëri ka pasur dëshirë ta dënojnë me vdekje, ata e kanë dënuar me një vit mospjesëmarrje në kupat e Europës”, shprehet Armand Duka, president i Federatës Shqiptare të Futbollit.
Më pas kreu i futbollit shqiptar ka sqaruar kërkesën e Partizanit për titullin e pretenduar duke sqaruar se është i pamundur.
“Organet juridike të FSHF-së janë nën nivelin e CAS-it. Çdo lloj vendimi, edhe nëse do ta marrin organet e Federatës Shqiptare të Futbollit, palët në fjalë, qoftë Skënderbeu apo Partizani do ta ankimojnë në CAS dhe më pas CAS-i do të shprehet duke thënë se e ka marrë një herë vendimin për këtë çështje, e për këtë arsye nuk mund ta ndryshojë më atë. Nuk besoj se kjo çështje duhet diskutuar më”, tha Armand Duka.
Në fund edhe pse jo për nga rëndësia, presidenti FSHF-së ka folur edhe për disa akuza të bëra nga deputeti Erion Braçe. Kritikat e tij kanë marrë një përgjigje të ashpër:
“Për mua, futbolli është gjëja më e mirë që ka Shqipëria, pa dashur të mohoj problematikat që ka. Ka 1001 probleme, sepse është një lojë, ka pjesëmarrjen e mijëra njerëzve, ka emocione të mëdha, ka garë brenda, por është gjëja më e mirë që ka Shqipëria. Dhe më vjen keq, aq më tepër kur flet ndonjë palaço apo klloun nga politika. Ndonjë klloun i vogël kërkon të hedhë baltë mbi futbollin tonë”, tha Armand Duka, president i Federatës Shqiptare të Futbollit.