Derbi i parë i këtij sezoni mes Partizanit dhe Tiranës do të luhet në “Elbasan Arena”.
Në javën e 4-t të kampionatit dy skuadrat e kryeqytetit do të përballen mes tyre, ndërsa ajo që përbën problem është transporti i tifozëve drejt Elbasanit.
Të dy klubet po mendojnë për të vendosur autobusë në dispozicion të tifozëve që do të ndjekin nga afër derbin Partizani-Tirana. Por, për një ndeshje të tillë ku kërkesat do të jenë të larta, do të duhet të sigurohen të paktën nga 30 autobusë për çdo klub, në mënyrë që të transportojë nga Tirana drejt Elbasanit, tifozërinë e vet.
60 autobusë në total, çka do të thotë se do të jetë shumë e vështirë për t’i siguruar, ndonëse si Tirana, ashtu edhe Partizani janë të lidhura me agjenci udhëtimesh për të tilla situata.
Megjithatë, mbetet për t’u parë se sa të disponueshme do të jenë agjencitë përkatëse për t’iu siguruar dy klubeve të kryeqytetit limitin e autobusëve që do të kërkohen për tifozët të cilët do të udhëtojnë drejt Elbasanit.
Ndoshta ndihma për Tiranën dhe Partizanin mund të vijë nga jashtë kryeqytetit, aty ku klubet mund të gjejnë autobusë të disponueshëm për kërkesat e tifozëve.