Përfaqësuesja e Kosovës rrezikon seriozisht të mos e luajë asnjë ndeshje në stadiumin e Prishtinës brenda këtij viti.
Shkaktar mund të jetë mosformimi i qeverisë së vendit, pasi Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit i duhet të nënshkruajë kontratën e dytë me kompaninë që po i kryen punimet, e cila tashmë është në fazën përfundimtare të punëve, raporton KTV.
Sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, ka thënë se nëse nuk formohet ekzekutivi brenda pak ditëve, atëherë seriozisht rrezikohen që Kombëtarja e Kosovës të luajë përsëri në Shkodër.
Në anën tjetër, drejtori i Departamentit të Sportit, Ibër Alaj, e pranon se do të jetë problem që të ndryshohet ligji për të financuar pjesën e dytë të punimeve në stadiumin e Prishtinës.
Por, ai është optimist se do të gjendet një zgjidhje, në mënyrë që të mos ndalen punimet.
Nëse dështon Prishtina, zyrtari i Ministrisë së Sportit beson se stadiumi “Adem Jashari” mund të shërbejë edhe për Kombëtaren e Kosovës.