Marrëdhënia e Gareth Bale me Real Madrid është krisur prej kohësh, por tashmë rrugët duken krejt të ndara. Festa ironike e yllit uellsian ku tallej me madrilenët ka nxitur polemika në Spanjë. Ai është akuzuar shpesh nga tifozët se më shumë kujdesej të luante golf se sa të kontribuonte për Realin. “Uells. Golf. Madrid”, shkruhej në banderolën e shpalosur nga 30-vjeçari pas ndeshjes mes Uellsit dhe Hungarisë. Në Spanjë kanë shpërthyer të gjithë mediet kundër tij.
Llogaria që përdoret në Tëitter nga gazetarët spanjollë e cilëson veprimin e Bale si të pafalashëm. “Ne do ta ndërpresim kontratën e tij sot. Ju kemi mbrojtur gjithmonë Gareth Bale. Kemi pasur durim dhe kur je lënduar mijëra herë. Kemi festuar golat dhe asistet e tua. Të kemi dhënë të drejtë për pasionin tënd, golfin. Por, mjaft më”, shkruhet në llogarinë “Madrid Sports”, pjesë e së cilës janë përfaqësuesit e medieve prestigjoze spanjolle.