Merkato e dimrit është çelur dhe Partizani është një nga skuadrat që pritet me interes të shihet se çdo të ndodhë, sa i përket lëvizjeve në “dalje”. Deri më tani kampionët kanë zyrtarizuar vetëm Dorian Kërçikun, i cili u dëmtua në miqësoren e fundit të “Demave”. Shumë janë përfolur për t’iu bashkuar të kuqve, por asgjë konkrete. Gjithashtu të shumtë ishin dhe ata janë lakuar për t’u larguar nga kryeqyteti.
Lorenc Trashi ka qenë në “pole-position” për t’u transferuar në një kampionat elitar në Europë. Megjithatë duket se kjo është lënë për në verë. Presidenti Gaz Demi ka kërkuar me çdo kusht titullin kampion dhe shërbimet e 27-vjeçarit janë të domosdoshme në linjën e majtë. Kësisoj, gramshioti është i detyruar të mbyllë këtë edicion me të kuqtë për të ruajtur titullin kampion, që pas 26 vitesh u rikthye te Partizani në fundin e sezonit të shkuar.