Kukësi ka reaguar në lidhje më prishjen e stolave në impiantin “Air Albania” gjatë ndeshjes mes verilindorëve dhe Tiranës, zhvilluar mbrëmjen e djeshme. Klubi kuksian ka dënuar këtë akt në zonën e tyre të tifozëve, duke u shprehur se ata individë që bëjnë këto akte nuk përfaqësojnë tifozerinë e tyre. Verilindorët I bëjnë thirrje organeve kompetente, për të marrë masat e duhura.
Reagimi I Kukësit:
Klubi i Kukësit dënon ashpër sjelljen e disa individëve që kanë shkaktuar dëme në stadiumin “Air Albania” duke thyer 19 stola dhe njëkohësisht duke dëmtuar imazhin por edhe financat e klubit. Këto individë, kurrsesi nuk mund të përfaqësojnë tifozerinë tonë e cila ka treguar shpesh herë se është në krah të ekipit dhe nuk e ka dëmtuar por vetëm e ka mbështetur.
Një rezultat negativ nuk është fundi i kampionatit dhe sjellje të tilla, nuk e ndihmojnë aspak skuadrën për të ecur drejt objektivit titull. Klubi i Kukësit mbështet plotësisht organet përkatëse që kanë nisur hetimet për evidentimin e personave përgjegjës të cilët do të marrin edhe ndëshkimin në bazë të ligjit dhe rregulloreve.
Kukësi është i tifozëve dhe i tillë do të mbetet. Individë të veçantë nuk mund të prishin këtë lidhje, sepse mjafton fakti që jemi të detyruar të luajmë larg shtëpisë sonë. Bashkë jemi më te fortë!