Harry Maguire së shpejti mund të jetë lojtari më i ri i Manchester Unitd. “Djajtë” do të paguajnë 90 milionë euro për të marrë shërbimet e qendërmbrojtësit nga Leicester City.
Mirëpo padyshim që në “Old Trafford” sot mund të ndihen të hidhëruar, sepse në vitin 2013 nuk i kanë dëgjuar fjalën legjendës Sir Alex Ferguson, i cili e pikasi që në atë kohë shtatlartin, kur ishte pjesë e Shefild United (Ferguson në atë kohë ishte tërhequr nga drejtimi i skuadrës). Sikurse United nuk e mori, raporton “Daily Mirror”, më pas, Maguire shkoi tek Hull City për 3 milionë euro, ndërsa më pas, është blerë nga Leicester City me vlerën e 14 milionë eurove.
Në rast të shitjes së tij, Leicester do të përfitojë 90 milionë euro dhe do jetë skuadra e parë në historinë e futbollit që shet një lojtar me këtë çmim, sepse Maguire do të kthehej në mbrojtësin më të shtrenjtë që futbolli ka parë ndonjëherë. Shkurt dhe saktë, nëse Fergusonit në vitin 2013 do i kishin dëgjuar fjalën, Manchester United sot, do kursente 85 milionë euro dhe për shumë vite të shkuara do e kishte mbrojtësin një garanci më shumë në prapavijë.