Kukësi luan sot në “shtëpi” ndaj Flamurtarit, me ndeshjen që do të startojë në 14:00 në Lushnjë. Verilindorët janë detyruar të “shtegëtojnë” duke parë se stadiumi i tyre po ndërtohet nga fillimi dhe me rikonstruksionin e fushës së “Elbasan Arenës” ekipi është detyruar të gjejë strehë gjetkë. Djemtë e trajnerit Duro vijnë në këtë sfidë pas një barazimi ndaj kryesuesve të Partizanit, me Kukësin që edhe mund ta kishte fituar sfidën.
Sot ekipi kuksian do të zbresë në tapetin e blertë për javën e 11 dhe përballë do të ketë Flamurtarin. Vlonjatët vijnë pas barazimit me Skënderbeun dhe do tentojnë surprizën për t’i shpëtuar vendit të fundit. Kukësi në këtë sfidë vjen me mungesa në formacionin titullar, teksa Obanor do të jetë I pezulluar prej kartonave ndërsa Shkurtaj e Limaj vuajnë prej dëmtimeve. Me tre titullarë jashtë, Duro duhet të “shpikë” formacionin me qëllim që të mos lejojë hapsira për kundërshtarët.