Në listën zyrtare të dorëzuar në UEFA për dy ndeshjet e radhës në Europa League bie në sy shtimi i dy emrave, Sabien Lilaj dhe Lididon Latifi. Të dy këta futbollistë janë dhënë në formë huazimi nga Skënderbeu dhe tashmë është plotësuar dokumentacioni i nevojshëm që ata të luajnë kundër Austrisë së Vienës. Jashtë listës për momentin ka mbetur japonezi Masato Fukui, i fundit lojtar që iu bashkëngjit verilindorëve nga huazimet e korçarëve.
Kukësi në raundin e parë eliminator ka pasur 22 lojtarë të federuar, ndërsa lista mund të shkojë deri në 25 të tillë sipas rregullores së UEFA-s. Ndaj, përpos Lilajt dhe Latifit, verilindorët pritet që të federojnë edhe Fukuin. Ndër të tjera rregullorja pranon federime deri në 24 orë përpara orarit zyrtar të zhvillimit të ndeshjes, që do të thotë se te Kukësi kanë kohë për të federuar japonezin.