“Kthehem në Shqipëri vetëm nëse vjen Lut Nuri”, ishte deklarata e Dritan Dervishit kohë më parë dhënë ekskluzivisht për newsport.al. Njeriu që di të luajë bukur me mediet duket se tashmë ka rënë në qetësi të plotë duke u tërhequr si një driblues i vërtetë diku në një qoshe të fushës. Me deklaratat e tij bombastike, herë në një portë e herë në portën tjetër ka dëshiruar gjithmonë të bëhet protagonist.
Madje të gjithë i mbajnë mend mesazhet e publikuara nga newsport.al teksa ish-drejtori i njohur fliste me drejtuesit korçarë me nota negative për ata të Partizanit. Megjithatë në Shqipëri, çudia më e madhe tre ditë zgjat dhe ato mesazhe u harruan edhe nga drejtuesit e 16-herë kampionëve të Shqipërisë. Një njeri i vetëdeklaruar tifoz i thekur me Tiranën, papritur u dashurua marrëzisht me Partizanin. Herë pas here shprehej se ishte ai që e bënte merkaton te kryeqytetasit, ishte ai njeriu që bashkëpunonte me drejtuesit e kuq për të sjellë “bomberat” e jashtëzakonshëm që kanë shpërthyer prej vitesh në vendin tonë, me pak fjalë ishte ai, gjithmonë sipas tij…
Nga ana tjetër në suksesin e titullit kampion të Partizanit, asnjë s’u kujtua ta përmendte. Madje edhe drejtori Olsi Rama kurrë s’u shpreh se kishte bashkëpunuar me Dervishin, po gjithçka ia faturoi Skënder Gegës së bashku me “ushtrinë” kampione. Në një kohë kur situata në klubin e kuq s’është fort pozitive, duket se drejtori i vetëkënaqur është fshehur. Shumë prurje afrikane, shumë huazime nga Seritë inferiore të Italisë dhe më kryesorja, “timonieri” i anijës së kuqe, Franko Lerda i ardhur po nga Italia. Megjithatë ky i fundit duket se është rehat pasi ka deklaruar se gjithçka e bën Olsi Rama, ndoshta jo deri te skemat.
Paradoksi qëndron në këmbë dhe ka marrë jetë. Do thoni ju pse? Është shumë e thjeshtë, mjafton të pyesësh edhe një 5-vjeçar që bën tifo për Partizanin ose Tiranën. Nëse i thuhet: “të jap këtë, bëj tifo për Tiranën ose anasjellas”, përgjigja e tij do të jetë negative e shoqëruar me një ton ofendues. Ndërkohë Dritan Dervishi i vetëshpallur tifoz i thekur i Tiranës, ndërroi kah shumë shpejt duke u berë mbështetës i ngjyrës së kuqe.
Ndoshta ka të drejtë… Nuk harrohen lehtë grushtet e zyrtarëve bardheblu ndaj tij vite më parë, të cilët e lanë të gjakosur në “Selman Stërmasi”. Por dashuria për ekipin e zemrës, të paktën për një tifoz s’mund ta zhbëjë asgjë. Kaq shumë protagonizëm i kërkuar, pse papritur humbi Dervishi? Përgjigjen mund ta dijë vetëm ai. Në ndeshjen e javës së parë ishte në Elbasan për të ndjekur Kukësi – Partizani dhe u largua pa bërë zhurmë. Le të presim, kampionati është shumë i gjatë…