Sezoni i tanishëm për Skënderbeun ka shumë ndryshime drastike nga ai i sezonit të kaluar. Skuadra e drejtuar nga Orges Shehi ka 23 pikë më pak se Skënderbeu i 2017-18 në javën e 28-të të Kategorisë Superiore. Shumë pikë të lëna gjatë kampionatit dhe vetëm vendi i 6-të në renditje, ndryshe nga ç’jemi mësuar ta shikojmë në vitet e fundit ku ka dominuar jo vetëm futbollin shqiptar, por është edhe e vetmja skuadër shqiptare që ka marrë pjesë në grupet e Europa League.
Ndryshe nga Skënderbeu, Kukësi i Safet Gjici në javën e 28-të në sezonin e kaluar kishte 51 pikë, ndërsa këtë kampionat ndodhet në kuoton e 48 pikëve. 3 pikë diferencë nga sezoni i shkuar edhe pse presidenti Gjici ka ndryshuar deri më tani 2 trajnerë. Diferenca me Partizanin kryesues është 9 pikë ,ndërsa në sezonin e kaluar diferenca me Skënderbeun ishte 12 pikë. Një Kukës konstant si vjet, por edhe këtë sezon.
Supriza është padyshim Partizani. Me ardhjen në stol të trajneri Skënder Gega, Partizani ka ndryshuar shumë nga ai vjetshmi. 12 pikë më shumë se sezoni i kaluar, të kuqtë në javën e 28-të numuronin 45 pikë dhe ishin në vendin e 3-të në renditje. Këtë sezon, Partizani ndodhet në vendin e parë me 57 pikë dhe +9 pikë nga Kukësi i vendit të dytë. 12 pikë më shumë që kanë bërë diferencën pasi Partizani ndodhet 9 pikë larg vendit të dytë dhe janë pikërisht këto pikë që mund t’i japin dhe titullin kampion këtë vit që mungon prej më shumë se 26 vitesh.