E ardhmja e Milot Rashicës duket gjithnjë e më larg Besiktasit, ndërsa marrëdhënia mes palëve po shkon drejt një ndarjeje të vështirë. Sulmuesi nga Vushtrria nuk ishte as në stol në ndeshjen e fundit dhe sinjalet nga klubi tregojnë qartë se ai nuk bën më pjesë në planet për sezonin e ri.
Sipas raportimeve nga Turqia, Besiktasi është i gatshëm të shlyejë të gjitha detyrimet financiare ndaj 30-vjeçarit vetëm që ai të pranojë largimin. Megjithatë, Rashica nuk dëshiron të largohet, duke këmbëngulur se ndihet i lumtur te skuadra nga Stambolli.
Kjo situatë mund të ketë pasoja për karrierën e tij, pasi ekziston mundësia që Besiktasi ta lërë jashtë planeve dhe në tribunë gjatë sezonit. Sulmuesit shqiptar i ka mbetur edhe një vit kontratë me klubin turk.
Rashica u transferua te Besiktasi në verën e vitit 2023 nga Norwich për rreth 5 milionë euro. Edhe pse ka pasur interes nga skuadra të tjera, përfshirë Erzurumsporin, deri tani lojtari nuk ka dhënë dritën jeshile për një transferim.






