Përfaqësuesja e Kosovës do të jetë më e fortë që nga janari i vitit 2017, shkruan sot gazeta Zëri.
Përfaqësueses më të re në Evropë pritet t’i bashkohen disa lojtarë të rinj, ndërsa ka prej tyre që do të kthehen nga dëmtimi.
Trajneri i Përfaqësueses, Albert Bunjaki thotë se është duke e pritur nga FIFA lejen për disa futbollistë të rëndësishëm.
“Po presim nga FIFA që të na japë lejen për Atdhe Nuhiun, por edhe për Loret Sadikun presim ende”, ka thënë Bunjaki për “Zërin”.
Gjithashtu, nga janari do të ketë në dispozicion edhe një lojtar interesant. “Do të kthehet nga lëndimi Erton Fejzullahu, një lojtar cilësor”, ka shtuar ai. Ndërkaq, Kosova është në pritje edhe të Besart Berishës, i cili mund t’i bashkohet ekipit verdhekaltër që nga ndeshjet e marsit.
Atë po e presin të gjithë dhe Bunjaki thotë se Kosova ia ka bërë “hyzmetin”, ndërsa tani “topi” është te lojtari.
“Jemi ende në pritje të një përgjigjeje nga Florent Hadërgjonaj. Ne e kemi kontaktuar dhe i kemi treguar se na intereson, tash i ka mbetur atij të na tregojë vendimin”, nënvizoi trajneri kosovar.
Gjithashtu, Kosovës që nga fillimi i vitit mund t’i bashkohet edhe Mërgim Berisha, ylli i ri i ekipit të Salzburgut, i cili është njëri prej golashënuesve më të mirë në ligën e dytë austriake, e që, krahas Kosovës, i ka në opsion edhe Austrinë e Gjermaninë.
Nuk përjashtohet mundësia që gjatë vitit që vjen, Kosova të afrojë edhe lojtarë të tjerë, të cilët nuk kanë luajtur në të kaluarën për këtë ekip.
Sfida e ardhshme e ekipit të Bunjakit është ajo e marsit me Islandën, ndërsa Federata e Futbollit të Kosovës po bën përpjekje që t’ia sigurojë Përfaqësueses edhe një ndeshje miqësore, tri ditë pas ndeshjes me islandezët.
Kosova ka barazuar një herë dhe ka pësuar tri humbje në kualifikimet për Botërorin e Rusisë.