Është mbyllur sot pasdite në Frankfurt, faza e përgatitjeve të skuadrës kombëtare shqiptare përpara nisjes për në Islandë.
Sipas programit, kuqezinjtë nën drejtimin e trajnerit Edi Reja dhe stafit të tij, janë stërvitur për mbi 90 minuta në fushën sportive të FC Oberstedten. Variante taktike të aplikuara drejtëpërdrejtë në fushë, lojë me dy porta dhe në fund streçing, ishin disa nga detajet e stërvitjes së sotme. Pas përfundimit të stërvitjes, trajneri Reja, falenderoi përfaqësuesit dhe punëtoret e fushës sportive të Oberstedten për gatishmërinë dhe përkushtimin e treguar, gjatë këtyre ditëve në shërbim të skuadrës kombëtare.
Kombëtarja shqiptare e futbollit, stafi dhe drejtuesit e saj, bënë një foto të përbashkët me ekipe moshash të FC Oberstedten.
Më herët në orët e paradites në konferencën e fundit për shtyp zhvilluar në Gjermani në orën 11:30 folën portieri Etrit Berisha dhe mesfushori Ergys Kaçe. Në 12:30 trajneri Reja, zhvilloi një analizë të shkurtër taktike me skuadrën.
Nesër në orën 08:15, kombëtarja lë rezidencen e saj të përkoheshme, hotel “The Rilano”, për të shkuar në aeroportin e Frankfurtit. Rreth orës 11:40, kuqezinjtë nisen për në Rejkjavik.