Situata e vështirë e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, ka nxitur të gjitha Federatat kombëtare që të mblidhen për të diskutuar daljen nga kriza. Qysh prej mëngjesit të sotëm, në ambientet e “Tirana International” u zhvillua Asambleja e Jashtëzakonshme, ku u diskutua mes të pranishmëve. Presidenti i KOKSH, Viron Bezhani dhe sekretari Stavri Bello kanë muaj që akuzojnë njëri-tjetrin për parregullsi, duke bërë që të ndërhyjë edhe organizmi Olimpik Europian.
Kjo Asamble vjen si mundësi zgjidhje për ngërçin, teksa merr pjesë edhe Armand Duka që ështën president i Federatës Shqiptare të Futbollit. Duka ka bërë me dije se është pro zgjidhjes, andaj në këtë takim po diskutohen mënyrat e daljes nga ngërçi. Rendi i ditës parasheh “Zgjidhjen e situatës”, por ky term ka shkaktuar debate për mënyrën e degradimit të situatës.
Sekretari Stavri Bello ka parqitur dorëheqjen gjatë fjalës së tij, me anëtarët e Asamblesë që kanë kërkuar të njëjtën gjë edhe për presidentin e KOKSH Viron Bezhani. Ende është duke u diskutuar me tone të larta se si do të zgjidhet çështja, duke u kërkuar që të votohen propozimet konkrete për zgjidhje. “Jap dorëheqje dhe ftoj që edhe presidenti të bëj të njëjtën gjë”, u shpreh Bello.
Pas plot gjashtë orë debatesh, anëtarët kanë votuar për rezolutën që do t’i japë zgjidhje situatës. Prioritet mbetet mbarëvajtja e Lojërave Olimpike “Tokio 2020”. Me shumicë votash është miratuar rezoluta e zgjidhjes, që parasheh zgjidhjen brenda KOKSH dhe zgjedhje të reja përpara dhjetorit 2020.
Komiteti Olimpik Ndërkombëtar kishte sjellë një rezolutë, që është parë me kujdes nga federatat anëtarë dhe në fund është vendosur që të bëhet një ndryshim, që Statuti të ndryshojë pas Lojërave Olimpike.
Propozimi për dy anëtarë të Asamblesë së Përgjithshme, dy anëtarë të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe një përfaqësues i Ministrisë së sporteve është miratuar me 44 vota pro, ndërkohë që tre ishin kundër. Ky zhvillim i ri pritet që t’i japë KOKSH tjetër drejtim, me fokusin drejt lojërave Olimpike.