Kategoria e Parë në katër javët e para ka nxjerrë në pah ekipet pretendente dhe ato që do të luftojnë për mbijetesë. Vet pikët që kanë në tabelën e klasifikimit, por edhe loja e zhvilluar në fushë, po bëjnë të vetën në përcaktimin e fateve.
Megjithatë, në Ballsh më shumë se herë tjetër besojnë se do të rikthehen në elitën e futbollit shqiptar. Me një grup të kompletuar dhe skuadër që i hap probleme çdokujt, bardhekuqtë besojnë te arritja e objektivave.
Të shtunën në orën 14:30 do të luhet takimi i radhës, ai kundër Elbasanit. Verdheblutë janë projektuar për Superiore, por ende nuk kanë shfaqur asgjë nga çfarë pritej. Mirëpo, për këtë ndeshje drejtuesit ballshiotë kanë vendosur që të hapin dyert e stadiumit për të pasur mbështetjen e tifozëve. Nga ana tjetër, sportdashësit mallakastriotë kanë premtuar mbështetje maksimale dhe numër rekord shikuesish në “Adush Muçaj”.