Klubi i Vllaznisë në basketboll për meshkuj i është përgjigjur shkresë së Federatës, ku kërkoheshin propozime për të ndryshuar rregulloren e aktiviteteve për edicionin 2019-2020.
Nëpërmjet një komunikate në kanalin zyrtar, klubi shkodran parashtron 3 pika, që sipas tyre duhen ndryshuar. Më poshtë njihuni me propozimet zyrtare të klubit të Vllaznisë:
“Klubi i Basketbollit Vllaznia në përgjigje të shkresës, nr.11 prot, datë 18 Janar 2019, të drejtuar shoqatave sportive të basketbollit anëtare të FSHB ku kërkohet të dërgohen propozime në lidhje me Rregulloren e Aktiviteteve, Edicioni 2019-2020, ka drejtuar këto propozime:
1) Në lidhje me pikën 4.1 të rregullores propozohet që: Edicioni 2019-20 i superligës së meshkujve, të zhvillohet me 8 ekipe duke përfshirë: 6 ekipet e renditura të para në superligë si dhe 2 ekipet e renditura të para në kategorinë e parë, në edicionin 2018-2019.
2) Në lidhje me pikën 11.4 të rregullores propozohet që të ndryshohet në këtë mënyrë: Është: “Deri në 30 minuta pas përfundimit të ndeshjes, përfaqësuesi i ekipit i paraqet vëzhguesit (në mungesë të tij gjyqtarit të parë) protestën me shkrim.” Të bëhet: “Deri në 24 ore pas përfundimit të ndeshjes, përfaqsuesi i ekipit i paraqet vëzhguesit (në mungesë të tij gjyqtarit të parë) protestën me shkrim nëpërmjet adresës elektronike, për dijeni edhe FSHB”.
3) Në lidhje me pikën11.8 të rregullores propozohet që të ndryshohet në këtë mënyrë: Është: “Vendimi i kryesisë së F.Sh.B.-së, e cila luan rolin e komisionit të apelit, është i formës së prerë.” Të bëhet: “Vendimi i kryesisë së F.Sh.B.-së, e cila luan rolin e komisionit të apelit sipas pikës 3, të nenit 23, të ligjit Nr. 79/2017 “Për sportin” mund të ankimohet në Këshillin e Arbitrazhit Sportiv brenda pesëmbëdhjetë ditëve kalendarike nga shpallja e tij“, shkruhet në njoftimin e klubit të Vllaznisë.