Një skandal për shfrytëzimin dhe abuzimin me fëmijët ka përfshirë futbollin në Argjentinë dhe pikërisht te një prej klubeve të famshme si Indepenendiente Avellaneda. Ka qenë gazetari Gustavo Grabia në programin “No Todo Pasa” që ka rrëfyer skandalin në fjalë pas zbulimeve të bëra pasi një lojtar i ekipit të moshave në këtë klub ka rrëfyer tek psikologja abuzimet e bëra ndaj tij dhe disa shokëve të tij.
Futbollisti i datëlindjes 2001 ka treguar mënyrën se si ai dhe katër lojtarë të tjerë janë shfrytëzuar dhe përdorur për të ofruar shërbime të vazhdueshme seksuale në një shtëpi luksoze në Buenos Aires. Siç ka rrëfyer i riu, futbollistët i përkisnin moshës 16-17 vjeç.
Rrjeti i prostitucionit për të mitur ishte udhëhequr nga një ish-lojtar i klubit i nihmuar nga gjyqtari që drejton ndeshjet e kampionatit pranveror. Stafi mjekësor i klubit ka raportuar historinë te Fernando Beron, përgjegjës për të gjitha kategoritë inferiore të Independiente, i cili ditën e djeshme ka denoncuar rastin në polici.
Autoritetet përkatëse kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, pasi dyshojnë se skema e prostitucionit me fëmijë mund të jetë përhapur edhe në ekipe të tjera. Ky skandal është përhapur në mbarë median argjentinase ku ka pasur kritika shumë të mëdha dhe të gjithë duan dënimin e përgjegjësve. Ky skandal ka bërë bujë të madhe jo vetëm në Argjentinë, por në mbarë botën e futbollit.