Ditën e djeshme janë luajtur ndeshjet e javës së parë në
Superiore. Një prej tyre ishte ajo mes Tiranës dhe Luftëtarit, që ka përfunduar
me rezultatin 3-0 për bardheblutë.
Gjirokastritët vinin në këtë takim disi më ndryshe, sepse një ditë para
ndeshjes, u është dashur të marrin të tjera udhëzime për këtë sfidë. Kjo për
arsye se është larguar papritur nga drejtimi i skuadrës, trajneri Klevis
Dalipi, i cili prej javësh i stërviste lojtarët.
Në krye të bluzinjve ka ardhur Klodian Duro, që pas ndeshjes ka thënë për Supersport është shprehur se largimi i Dalipit ka qenë joprofesional.
“Me pak qetësi mund të kishim marrë një rezultat pozitiv. Ne jemi një skuadër plut me djem të rinjë dhe ka shumë kohë për të rekuperuar. Unë jam mësuar me vështirësi në futboll. Prandaj erdha në këtë klub. Do mundohemi të bëjmë mirë, duke marrë edhe rezultate në të ardhmen. Unë jam përgjigjur pozitivisht ftesës, për të krijuar një klub profesionist. Shumë klube të tjera janë organizuar vetëm në momentet e fundit. Ne jemi organizuar në kohë rekord. Kontratat janë profezionale. Jo profesionale është sjellja. Është joprofesionale largimi i trajnerit Dalipi. Kam qenë unë që kam vënë veton që Dalipi të ishte trajneri i klubit. Unë jam i bindur, se ne do te arrijmë të bëjmë një Luftëtar të fortë. Përveç lojës së mirë, ne duhet të eleminojmë edhe gabimet individuale. Nuk na ndalon asgjë për ta bërë të mundur misionin tonë për këtë klub”, është shprehur Klodian Duro.
Mirëpo, nuk ka vonuar edhe përgjigja e Dalipit, i cili për Panorama Sport është shprehur se ka pasur ndërhyrje në punën e tij, dhe Duro ishte një nga arsyet më të forta të largimit të tij nga Gjirokastra.
“Një nga arsyet më të forta të largimit tim, ishte Duro. Gjatë periudhës që isha në Gjirokastër, kam kryer 28 seanca stërvitore dhe zoti Duro, apo zoti drejtor ka ardhur tri herë në qytet. Herën e parë erdhi kur luajtëm me Apoloninë për të parë ndeshjen. Herën e dytë që erdhi në Gjirokastër, kishte mision për të bërë fjalë apo për të ndryshuar listën e lojtarëve, edhe pse unë kisha ndërtuar një listë dhe punë të madhe, pas seleksionimeve të atyre ditëve.
Isha kundër prurjeve të shumta, ndryshe nga ç’mendonin zoti Halilaj dhe Duro. Doja disa lojtarë të Superiores që ishin të afirmuar. Nuk po i zë në gojë emrat e tyre, sepse janë diku tjetër. Pafuqia e drejtuesve për të sjellë këta lojtarë, bënë që të mos formoja boshtin e ekipit dhe një skuadër dinjitoze.
Dhe në këtë herë të dytë zoti Duro, pasi atij i pëlqen të punojë nga Tirana me telefon, erdhi për të më ndryshuar dhe larguar lojtarët që unë mezi i kisha gjetur. Ai donte emra të tjerë që i sugjeronte me telefon ose nga të tjerët. Që këtu ai është gabim dhe del blof që nuk është profesionist. Unë shoh lojtarët, bëj përzgjedhjen si trajner i Luftëtarit. Në këtë herë të dytë patëm një përplasje të fortë. Trajneri dhe drejtori punojnë bashkë. Drejtori nuk mund të ndryshojë listën e lojtarëve duke thënë se ai nuk është i mirë ose nuk më pëlqen pa i parë farë në fushën e lojës. Ia bëra të qartë Duros. Nëse punon kështu, do të largohem.
Presidenti e largoi, por vendimi nuk u bë mediatik dhe mua m’u la dora e lirë. M’u premtua që do të vinin lojtarë nga Superliga greke. Nuk erdhi asnjë lojtar. E siguroj zotin Duro, se po të kishte qenë më afër me trajnerin ato 25 ditë, apo gjysmën, dhe të kishte parë përgatitjet për ndeshjen me Tiranën, (që mund ta humbisja edhe unë), do të kishte një ide të punës që kisha bërë. Skuadra që luajti dje me Tiranën nuk do të ishte ajo, por më e mirë, sepse në fushë luajti me modul të ndryshëm. Do të kishte ide më të qarta”, është shprehur Dalipi.