Ndeshja e së dielës, Partizani – Tirana ka marrë gjithë vëmendjen për këtë javë të 33-të të Superiores. Të kuqtë e drejtuar nga trajneri Skënder Gega do të tentojnë fitoren për të siguruar matematikisht titullin kampion. Megjithatë në këtë sfidë, tekniku i njohur s’do të ketë shërbimet e katër lojtarëve. Bëhet fjalë për Bruno Telushin, Emanuel Mensah dhe Jasir Asanin të pezulluar nga kartonat si dhe Hektor Idrizaj i cili prej javësh s’është në fushë për shkak dëmtimi.
Derbi gjithmonë duhet fituar dhe për këtë trajneri Gega po mendon të hedhë në fushë lojtarët që ka më në formë. Nga porta pritet ta nisë i përhershmi Alban Hoxha, para së cilit do të rreshtohet katërshja Ibrahimi – Belica – Rexhepi – Trashi. Para mbrojtjes, në rolin e mesfushorit shkatërrues do të jetë Sodiq Atanda, ndërsa regjia e mesfushës pritet t’i besohet Dilaver Dukës dhe Ardit Hilës që do të mbështeten nga krahët nga Esat Mala dhe në të majtë do të jetë ai që do të fitojë balotazhin mes Çinarit dhe Cardoso. Ndërkohë maja e sulmit pritet t’i besohet sërish Jurgen Bardhit.