Lushnja do të jetë pjesë e grupit A për sezonin e ardhshëm të Kategorinë e Dytë, aty ku do tentohet një sezon sa më pozitiv dhe për të hedhur pas krahëve, momentete vështira.
Me një skuadër që ka nevojë për ndryshime të shumta në çdo sektor, besimi i është dhënë trajnerit Dorjan Bubeqit, i cili ka folur konkretisht për objektivat e Lushnjes, çfarë po planifikohet me merkaton në hyrje dhe diskutimet që ka patur me presidenten dhe njëkohësisht kryetaren e bashkisë, Eriselda Sefën.
Në fund, Bubeqi pati edhe një mesazh të fundit, sa i përket atyre që duan ta shohin këtë skuadër aty ku e meriton të jetë.
“Falenderoj presidenten e klubit që është dhe kryetare e Bashkisë për besimin që më dha. Mendoj që kam ardhur këtu vetëm për një objektiv, ngjitjen e Lushnjes një kategori më lart. Nuk kam ardhur për ta mbajtur Lushnjen në mes të tabelës. Të jetë për mesin e tabelës, Lushnja rri vetë me këta çunat e rinj që kanë. Kemi hyrë në merkato, normale, po bisedojmë, sepse ekipi ka nevojë shumë. Ndërhyrje mund të ketë në çdo repart. Le të gjejmë lojtarë cilësor për të arritur objektivin.
Jemi në një situatë pak të vështirë sepse lojtarët po gjenden në vështirësi se jemi mbrapa me fillimin e stërvitjes, por mendoj që do e zgjidhim shumë shpejt dhe brenda javës tjetër do shihni një Lushnje pothuajse 80% të plotësuar.
Dua t’iu bëj thirrje për ta arritur objektivin, se objektivin nuk e arrin dot vetëm as Dorjan Bubeqi, as këta lojtarë. Unë kam nevojë për të gjithë. Duke patur mbështetjen e presidentes dhe kryetares së Bashkisë që e falenderoj dhe njëherë tjetër. Kam nevojë për veteranët e Lushnjes, për tifozët dhe për të gjithë njerëzit që e duan Lushnjen unë i mirëpres të bisedoj dhe të bëjmë çfarë është më e mira për Lushnjen.
Në fund të kampionatit nuk fiton Dorjan Bubeqi, por unë dua që të fitojë kjo stemë që unë e kam në gjoks. Jemi pak vonë, por po qe dëshira e mirë dhe nëse është impenjimi maksimal i të gjithë këtyre që unë përmenda besoj se shumë shpejt ne nuk do të kemi problem, por do jemi ekip kryesues që nga fillimi i kampionatit.
Asnjë lojtar nga ekipi i vjetshëm nuk ka ngelur, kështu që jemi të detyruar të ndërhyjmë në çdo repart duke filluar nga porta e deri tek maja e sulmit. Kemi bisedime, besoj që do të vijë në stërvitje dhe Endri Magani nga lojtarët e vjetshëm, por jemi në bisedime me shumë lojtarë që të ndërhyjmë në çdo rol sepse aty kemi nevojë, në çdo rol. Duke filluar nga porta, mbrojtja, mesfusha dhe sulmi. Po e përsëris, nuk ka ngelur asnjë lojtar nga ekipi i kaluar përveç Maganit që besoj i ka mbyllur bisedimet.
Bubeqi, sa i përket suportit financiar të Bashkisë?
Të gjithë komponentët që unë përmenda duke filluar nga mua i pari, nga stafi që ne jemi këtu. Jo stafi i trajnerëve, por edhe i drejtuesve, drejtor klubi dhe akademie. Nga lojtarët. Duhet mbështetje e tifozëve, e veteranëve, pa harruar dhe mbështetjen kryesore që është e bashkisë ose dhe e kryetares së bashkisë që është dhe presidentja. Një nga këta të çalojnë, do të kemi shumë të vështirë për të arritur një objektiv.
Takimi me presidenten, pati marrëveshje apo mosmarrëveshje me lojtarë?
Janë muhabete që unë nuk dua t’i nxjerr në media. Ne biseduam për disa lojtarë. Me disa ramë dakord, për disa të tjerë nuk ramë dakord. Jemi të detyruar që të respektojmë njëri-tjetrin, pavarësisht se unë do ngul këmbë për disa lojtarë. Por duhet parë edhe situata e klubit, si nga ana financiare dhe nga detyrimet e tjera.
Dua t’i jap një mesazh të gjithëve. Ju pres, edhe në stërvitje të jenë sa më shumë tifozët dhe kjo na jep një emocioni që ta kthejmë në pozitiv. Unë për Lushnjen nuk do të hezitoja kurrë dhe më bëhet qejfi që në momente të vështira iu gjenda Lushnjes pranë”, u shpreh Bubeqi.






