Trajneri i Tiranës, Orges Shehi ka folur para ndeshjes me Kastriotin. Bardheblutë presin nesër në 16:00 krutanët, me sfidën që vlen për javën e 32-të të Superligës. Numri një I stolit të Tiranës ka treguar se kjo javë do jetë vendimtare për objektivat, duke përmendur edhe mungesën e Çelhakës prej kartonave të verdhë.
“Kemi thënë se çdo skuadër ka objektivat e veta. Kastrioti është kundërshtar që nuk ka marrë pikë në javët e fundit, por të hap probleme sepse edhe ata kanë objektivat e tyre për të arritur. Ne jemi për t’u ngjitur lart, ata janë për t’i shpëtuar fundit të tabelës.
Do të jetë një ndeshje e luftuar nesër. Na ndajnë vetëm 5 javë nga fundit, duhet të jemi të përqendruar, të kujdesshëm dhe të çojmë topin në rrjetë. Kjo javë është shumë përcaktuese për ne, kur marrim gjithë frytet e sezonit. Tirana ka pasur një sezon shumë të ngarkuar sepse ka nisur shumë herët vitin futbollistik.
Rivali më i rëndësishëm? Kastrioti, që luajmë nesër. Nuk është rivali ynë direkt, por rivali i radhës është më i rëndësishmi. Duhet të bëjmë mirë, të shfrytëzojmë rastet sepse futbolli është edhe lojë momenti dhe duhet shfrytëzuar. Rasti i parë që do na jepet, do duhet ta shënojmë sepse na ndihmon për vazhdimësinë e ndeshjes. Nesër nuk do kursejmë asnjë lojtar për derbin.
Kemi edhe mungesa për shkak kartonësh. Do fus lojtarët që janë në gjendjen më të mirë. Nëse herët e tjera nuk e kemi në dorë, mendoj se kemi shanset tona nëse i fitojmë të gjitha ndeshjet. Nëse ndodh kjo, mendoj se do jemi brenda objektivit tonë”, tha Orges Shehi.