Kategoria Superiore do të zhvillojë sot javën e pestë të saj. Në 13:45 në stadiumin e Kamzës, Kastrioti pret Tiranën. Për këtë duel ka folur edhe trajneri i krutanëve. Ramadan Ndreu ka theksuar se përballë kanë ekipin kampion, ndaj duhet të jenë të përqëndruar në fushë. Numri një I pankinës së krutanëve thekson se në fushë do të hyjnë për maksimumin, pasi në këto javë Kastrioti ka treguar se është ekipi për t’u mundur.
Tirana – Në çdo ndeshje që kalon rritet shkalla e vështirësisë, për vetë faktin që edhe skuadrat nuk të nënvlerësojnë. Jemi një skuadër në njëfarë mënyre për t’u mundur, kështu që kjo ndeshje merr vlerësim maksimal. Do jemi të kujdesshëm, pasi përpara kemi një skuadër të fortë, ekipin kampion.
Do e menaxhojmë mirë lojën nga fillimi në fund dhe do jemi të kujdesshëm në fazën mbrojtëse. Skuadra do zbatojë me përpikmëri disiplinën taktike. Duhet të jemi të vendosur mirë, të kujdesshëm, jo se do lëmë mënjanë manovrën sulmuese. Duhet të jemi solid në fazën mbrojtëse dhe kjo është gjëja kryesore.
Skuadra – Ndeshjet e ngjeshura të japin probleme. Është një situatë e vështirë, pasi ne nuk është se kemi një kontingjent shumë të madh lojtarësh dhe e përballojmë pa asnjë lloj vështirësie.
Shpresojmë shumë që në këto ditë që kemi në dispozicion të na rikthehen lojtarët e dëmtuar. Bojom nuk kthehet dot, ka një tërheqje dhe do të mungojë. Të tjerët shpresoj se do të jenë të gatshëm.
Ndeshja dhe barazimi – E kam deklaruar shpesh që kryesorja është të luajmë futboll. Edhe me Apoloninë që ishim më mirë se kundërshtari dhe e kishim menduar të fitonim, barazuam.
E rëndësishme është të luajmë, të japim maksimumin, të jemi të përqendruar dhe ta kuptojmë se të gjitha skuadrat janë të forta. Duhet të hyjmë në fushë me synimin për të marrë tri pikët dhe luajmë futboll. Këtë pres nga skuadra në këtë ndeshje, pastaj rezultatin e vendos fusha.