Veç Tefik Osmanit që është arritur një akord paraprak me të, Marko Radas ishte lojtari tjetër i përfolur për të nisur një aventurë të re me 24-herë kampionët e vendit. Qendërmbrojtësi kroat tashmë me një pasaportë shqiptare do të bënte shumë punë në organikën e trajnerit Ard Mema. Eksperienca e tij dhe cilësitë në repartin e prapavijës e bëjnë atë një lojtar të rëndësishëm për çdo ekip të Superiores.
Mirëpo shanset e afrimit të tij te Tirana janë minimizuar, për të mos thënë që drejtuesit s’kanë pasur asnjëherë një plan konkret rreth tij. Karakteri i vështirë në fushën e blertë ka trembur jo pak drejtuesit që këtë vit po punojnë në disa fronte për të përforcuar ekipin. Në një kohë kur skuadra ka nevojë për elementë cilësorë, nuk do të rrezikohej për të afruar në skuadër një futbollist që shpesh herë ka krijuar polemika në kampionatin shqiptar. Kujtojmë rastin më të fundit, kur ai u përplas me grushta pas ndeshjes FLamurtari – Skënderbeu në Vlorë me mesfushorin aktual të Tiranës, Idriz Batha.