Emiljano Çela ka folur për gjysmën e dytë të këtij sezoni futbollistik, ku ka zbuluar objektivat si dhe ka analizuar gjendjen e organikës aktuale. Kapiteni i krutanëve ka deklaruar fillimisht për Supersport:
“Kemi pasur problemet tona për sa i përket afrimit të lojtarëve. Disa emra po afrohen dhe shpresoj se java tjetër do të jetë më e mirë sa I përket përgatitjes, pasi do të plotësohet grupi.
Synimi ynë është të bëjmë një skuadër konkurruese. Ka pasur shumë largime, por ka qenë vetë klubi që ka vendosur të ndërpresë bashkëpunimin me ta. Klubi ka element të mirë, por edhe me disa afrime cilësore, besoj se mund të jemi konkurrues”.
I pyetur më tej për dorëheqjet e dy ish-trajnerëve, Elvis Plori dhe Stavri Nica, Çela deklaroi:
“Nuk di të them, pasi këto janë çështje që i përkasin klubit. Unë kam respekt për të dy ata, por tani kemi trajner të ri dhe frymë të re, ndaj duhet të shohim përpara”, shtoi ai.
Në fund u ndal edhe te objektivi “mbijetesë”: “Ne do të provojmë shanset tona deri në fund. Do të jetë e vështirë, pasi jemi në vend të fundit, por po punojmë, ndaj nuk na ndalon gjë të provojmë qëndrimin”, përfundoi kapiteni i krutanëve.