Pas fitores kundër Domosdovës një javë më parë në transfertë, Naftëtari luan nesër kundër Tepelenës në stadiumin “Bashkim Sulejmani”.
Pas javës së 6-të të Kategorisë së Dytë, kuçovarët renditen në vendin e dytë, me një pikë më pak se Orikumi, por bardhezinjtë kanë një ndeshje më pak.
Në 5 ndeshje që Naftëtari ka luajtur këtë sezon ka arritur të grumbullojë pikët e plota pas 5 fitoreve radhazi.
Ndërkohë që sot, bardhezinjtë e drejtuar nga trajneri Mile presin Tepelenën në shtëpi, ndërsa kapiteni Ardian Gega, njëkohësisht një nga lojtarët më të rëndësishëm i skuadrës kuçovare, në një prononcim për newsport.al premton fitore dhe fton tifozët të jenë të shumtë në stadium.
“Jemi shumë të kënaqur me rezultatet e deritanishme. Por, duhet të jemi me ‘këmbë në tokë’, sepse ka edhe shumë javë kampionat.
E respektojmë kundërshtarin e radhës, po fitorja kundër Tepelenës sot në fushën tonë është detyrim përpara tifozëve tanë.
Ecuria që kemi pasur deri në këto javë të para na bën edhe më shumë të përgjegjshëm, sepse do të kërkojmë të ruajmë pathyeshmërinë tonë deri në momentin kur të sigurojmë objektivin tonë final, ngjitjen në Kategorinë e Parë. Kam besim se do t’ia arrijmë këtë sezon.
Me investimet që ka bërë klubi, me punën e bërë nga stafi teknik, kualitetin e lojtarëve dhe me mbështetjen e lartë që na jep tifozëria jonë, kam bindjen që do të jemi në Kategorinë e Parë në sezonin e ardhshëm. I ftoj tifozët të jenë të shumtë sot ndaj Tepelenës dhe në fund të shpresojmë që të gjithë bashkë ta kthejmë edhe këtë takim në festë”, përfundon mesfushori i Naftëtarit, Ardian Gega.