Teuta padyshim që është skuadra surprizë deri më tani në Superiore. Sapo është mbyllur java e tretë dhe durrsakët nuk kanë asnjë humbje, duke menduar që janë përballur me skuadra si Flamurtari dhe Tirana, ndërsa mbrëmjen e djeshme mundën në shtëpi Kamzën, gjë që solli shkarkimin e trajnerit Bledar Devolli.
Strategu i këtij suksesi është padyshim Bledi Shkëmbi, ku ka arritur që në pak kohë të ekuilibrojë mjaft mirë ekipin e tij. Zero gola të pasuar deri më tani, ashtu sikurse edhe Flamurtari i Ilir Dajës. “Djemtë e Detit” kanë grumbulluar 5 pikë, por ajo që bie më shumë në sy është loja e bukur dhe me shumë ide nga Teuta, që duket qartë se Shkëmbi po i përshtat lojtarëve lojën e tij kur zbriste në fushën e blertë.
Mbetet të shihet në vijim për t’u vërtetuar se diçka e tillë nuk mund të jetë një rastësi në këtë start kampionati. Ndeshjen e radhës Teuta do e luajë përballë Kukësit në shtëpi në datën 16 shtator në orën 17:00.